Pentagoni ka publikuar një seri dokumentesh të deklasifikuara mbi fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP), ku përfshihen edhe të paktën gjashtë raste të raportuara në Greqia.
Dosjet janë pjesë e një arkivi prej 162 dokumentesh që përmbajnë raportime nga agjenci federale amerikane, materiale diplomatike, si dhe komunikime nga misionet hapësinore të NASA. Sipas autoriteteve amerikane, dokumentet përfshijnë të dhëna që shtrihen deri në 80 vite më parë dhe janë publikuar në kuadër të një nisme për transparencë më të madhe mbi fenomenet ajrore të pashpjegueshme.
Një nga incidentet e raportuara në dokumente daton më 27 tetor 2023, ku përshkruhet një objekt i vogël me formë rrethore që lëvizte shumë ulët mbi det në territorin grek. Sipas raportit, objekti kryente manovra të shpejta dhe më pas u zhduk nga radarët.
Në dokumente përfshihen edhe regjistrime komunikimi nga misionet hapësinore Apollo, ku astronautët raportojnë shfaqje të objekteve ose grimcave shumë të ndritshme gjatë lëvizjes në hapësirë, të cilat i komunikoheshin menjëherë qendrës së kontrollit në Tokë.
Megjithatë, autoritetet amerikane theksojnë se publikimi i këtyre materialeve nuk përbën provë apo konfirmim për ekzistencën e jetës jashtëtokësore. Sipas tyre, bëhet fjalë për dokumentim të fenomeneve të pazakonta që ende nuk kanë një shpjegim të plotë shkencor apo teknik.
Publikimi i dosjeve ka rikthyer interesimin global për UFO-t dhe fenomenet ajrore të paidentifikuara, ndërsa një pjesë e materialeve vazhdon të analizohet nga ekspertët amerikanë


