Drejtori i Policisë shqiptare: Zyrtarët e VLEN-it nuk u kthyen në “Qafë Thanë”, refuzuan të vazhdonin pa shoqëruesin

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Skënder Hita ka sqaruar se zyrtarët e VLEN-in gjatë ditës së djeshme nuk janë kthyer mbrapsht në pikën kufitare “Qafë Thanë”, përcjell TV21. Hita tha se një person që ka qenë bashkë me deputetët Bekim Qoku, Adnan Azizi dhe me zëvendës sekretarin e qeverisë, Hasim Murtezani, ka pasur probleme me ligjin, dhe se të njëjtit i është ndaluar hyrja në shtet, ndërsa zyrtarët e VLEN-it kanë mundur të kalojnë pikën kufitare.

“Policia e Shtetit, edhe Policia Kufitare, është garant i zbatimit të ligjit dhe për këtë arsye dje në pikën kufitare të Qafë Thanës janë paraqitur katër shtetas me qëllim për të kaluar kufirin. Tre prej tyre dispononin edhe pasaporta diplomatike dhe u është bërë me dije që ata mund të vazhdonin udhëtimin, por një person i shoqëruar së bashku me ta, i cili kishte pengesa të ligjshme në kufi, nuk ka mundur të udhëtojë drejt Republikës së Shqipërisë. Në këtë kuadër, të katër personat nuk kanë pranuar që të vazhdojnë. Pra, edhe tre të tjerët nuk kanë pranuar të vazhdojnë udhëtimin dhe janë kthyer për në Maqedoninë e Veriut. Prandaj, nuk është një rast i veçuar apo i izoluar. Kjo është puna e përditshme e Policisë Kufitare. Më saktësisht, gjatë vitit 2025 kemi kthyer edhe persona të tjerë në 625 raste, ndërsa gjatë gjashtëmujorit të parë kemi të evidentuar dhe të kthyer persona në 425 raste të tjera. Kështu që kjo është një punë e përditshme dhe nuk ka ndonjë vend për panik apo për të thënë që policia nuk ka qenë prezente për të kryer detyrën e saj”, tha Skënder Hita, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë.

By admin7