Dua Lipa dhe Callum Turner kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë në një ceremoni private të zhvilluar në mëngjes në sallën historike Old Marylebone në London.
Këngëtarja 30-vjeçare me origjinë shqiptare dhe aktori 36-vjeçar, të cilët nisën lidhjen e tyre në vitin 2024, u shfaqën të buzëqeshur pas ceremonisë, të rrethuar nga familjarë dhe miq të afërt. Çifti zyrtarizoi martesën në një atmosferë intime, ndërsa për javën e ardhshme kanë planifikuar një festë madhështore tre-ditore në Palermo, në rajonin e Sicilisë.
Për ditën e veçantë, Dua Lipa zgjodhi një kostum të bardhë elegant me fund dhe një kapelë me strehë të gjerë, të kombinuar me taka të bardha dhe një buqetë me lule të verdha. Ndërkohë, Callum Turner u shfaq me një kostum blu të errët, duke ecur krah për krah me bashkëshorten e tij teksa dilnin nga godina e gjendjes civile.
Pas përfundimit të ceremonisë, e cila zgjati rreth 30 deri në 40 minuta, të sapomartuarit u duartrokitën nga të afërmit përpara se të largoheshin me një taksi tradicionale të zezë londineze. Sipas burimeve pranë çiftit, zgjedhja e këtij mjeti transporti ishte dëshirë e vetë këngëtares, e cila preferonte një largim sa më të thjeshtë nga ceremonia.
Megjithëse tashmë janë zyrtarisht burrë e grua, vëmendja është përqendruar te festa luksoze që do të zhvillohet në Palermo. Sipas raportimeve, çifti ka rezervuar një kat të tërë me suita në hotelin luksoz Villa Igiea, ndërsa ceremonia kryesore pritet të mbahet në Villa Valguarnera, një rezidencë historike e shekullit të 17-të në qytetin e Bagherias.
Në listën e të ftuarve përmenden emra të njohur të muzikës dhe modës si Elton John, Mark Ronson, Charli XCX, si dhe stilistja e famshme Donatella Versace.
Pikërisht Donatella Versace thuhet se ka punuar ngushtë me Dua Lipën për krijimin e fustanit të nusërisë që këngëtarja pritet të veshë gjatë ceremonisë së madhe në Siçili. Burime pranë çiftit e përshkruajnë ngjarjen si një nga dasmat më të rëndësishme të botës së spektaklit për vitin 2026.
Në një intervistë të mëparshme, Dua Lipa kishte konfirmuar fejesën e saj me Callum Turner, duke e cilësuar atë si një hap shumë të veçantë në jetën e saj. Këngëtarja ka folur gjithashtu për dëshirën për të krijuar familje në të ardhmen, megjithëse ka theksuar se angazhimet profesionale dhe turnetë e shumta e bëjnë të vështirë përcaktimin e momentit të duhur.
Ndërkohë, edhe karriera e Callum Turner duket se po hyn në një fazë vendimtare. Aktori vazhdon të përflitet si një nga favoritët për të interpretuar agjentin e ardhshëm 007 në filmin e ri të sagës së James Bond, i njohur paraprakisht si “Bond 26”. Nëse ky projekt realizohet, nuk përjashtohet mundësia që edhe Dua Lipa të kontribuojë në kolonën zanore të filmit, duke ndjekur traditën e artisteve si Adele, Billie Eilish dhe Sam Smith.


