Dy incidente serioze ndaj inspektorëve policorë në Kumanovë: Digjet vetura e një kryeinspektori, një tjetër theret me thikë në Likovë

Dy incidente të rënda ndaj inspektorëve policorë janë shënuar ditët e fundit në rajonin e Kumanovës, duke ngritur shqetësime për sigurinë e zyrtarëve policorë.
Sipas informacioneve, pas mesnatës së 21 prillit 2026, në rrugën “Nikola Vapcarov” në Kumanovë, është djegur një veturë e tipit “Volkswagen Tiguan”, e cila ishte në përdorim nga një kryeinspektor i krimeve kompjuterike në SPB-Kumanovë. Flakët kanë përfshirë edhe një automjet tjetër të parkuar pranë, të tipit “Opel”.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se zjarri dyshohet të jetë i qëllimshëm. Njësia e zjarrfikësve ka intervenuar në kohë dhe ka shuar flakët, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar. Në vendin e ngjarjes është kryer inspektim dhe janë ndërmarrë veprime hetimore për zbardhjen e rastit.
Ndërkohë, një tjetër incident është regjistruar javën e kaluar në afërsi të Pendës së Likovës, ku një inspektor policor nga SPB-Kumanovë është sulmuar me thikë derisa ndodhej jashtë detyrës, në prani të familjes së tij gjatë një pikniku. Sipas burimeve, ai ka pësuar lëndime, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Nga MPB konfirmojnë rastin, por pa dhënë detaje shtesë, duke theksuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe se gjetjet do t’i dorëzohen Prokurorisë Themelore Publike në Kumanovë.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse këto dy raste janë të ndërlidhura, ndërsa hetimet janë në vijim. Policia ka siguruar prova materiale, pamje nga kamerat e sigurisë dhe ka marrë në pyetje dëshmitarë okularë.

By admin