E bija u vra nga një ish-shofer i FedEx, nëna e vogëlushes 7-vjeçare zbulon bisedën e fundit: I thashë se…

Nëna e 7-vjeçares Athena Strand ka rrëfyer në gjykatë momentet e fundit me vajzën e saj, e cila u rrëmbye dhe u vra brutalisht nga ish-shoferi i FedEx

, Tanner Horner.

Reklame

Gjatë procesit gjyqësor në Texas, nëna e vajzës, Maitlin Gandhi, tregoi se biseda e fundit me të bijën ndodhi vetëm pak para tragjedisë së 30 nëntorit 2022.

“I thashë që e doja dhe se do ta shihja të premten”, deklaroi ajo mes lotësh në sallën e gjyqit. “Babai i saj po i çonte fëmijët për të parë dritat e Krishtlindjeve.”

Sipas autoriteteve, Horner rrëmbeu dhe vrau vogëlushen pasi dorëzoi në shtëpinë e saj një pako që përmbante një dhuratë Krishtlindjesh. 34-vjeçari u deklarua fajtor muajin e kaluar dhe më 5 maj gjykata vendosi dënimin e tij me vdekje.

Gjatë gjyqit u transmetuan regjistrime audio nga momentet e fundit të Athenës, ndërsa disa anëtarë të jurisë shpërthyen në lot, raportojnë mediat amerikane.

Në sallën e gjyqit u lexua edhe një letër e autorit drejtuar familjes së vajzës, ku ai kërkonte falje për “marrjen e engjëllit të tyre të vogël”, duke fajësuar gjendjen e tij psikologjike dhe stresin në punë për krimin.

Familja e viktimës i hodhi poshtë pretendimet e tij, duke theksuar se humbja e Athenës ka lënë “dhimbje që do të zgjasë për breza”.

Nëna e vajzës u paraqit çdo ditë në gjykatë e veshur me rozë, ngjyra e preferuar e së bijës, ndërsa flokët i kishte lyer në të njëjtën nuancë në kujtim të saj. Ditën kur u dha vendimi me vdekje, ajo veshi rroba të zeza.

Ajo përshkroi edhe momentin dramatik kur mori telefonatën për zhdukjen e vajzës.

“Ndihesha sikur po vdisja. Nuk mund të merrja frymë”, tha ajo. “Pothuajse ndalova makinën sepse mendova se po pësoja atak në zemër.”

Maitlin Gandhi tregoi gjithashtu se për një kohë të gjatë nuk i kishte treguar vajzës së saj më të vogël, vetëm tre vjeçe, se Athena kishte vdekur.

“I thashë se Athena do të qëndronte pak më gjatë me babain e saj. Kur kërkonte videotelefonata, i thoja se ishte në shkollë ose në gjumë”, rrëfeu ajo.

Në një deklaratë të mëparshme, nëna e Athenës tha se vajza e saj duhej të kthehej në shtëpi pas Krishtlindjeve, por në vend të kësaj “u kthye në një urnë”.

“Nuk do t’i shoh më sytë e saj blu dhe buzëqeshjen ‘djallëzore’. Nuk do ta dëgjoj më të më thotë ‘Të dua, mami’”, tha ajo.

By admin5