E gjithë Kosova në protesta kundër verdiktit të Speciales

Në disa komuna të Kosovës janë duke u mbajtur protesta të organizuara nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale, e cila më 16 shtator dënoi me gjithsej 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK-së.

Qytetarë të mbledhur në sheshe dhe hapësira publike kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

Protesta janë duke u zhvilluar në Skenderaj, Malishevë, Mitrovicë, Istog, Deçan, Ferizaj, Gjilan, Pejë dhe në komuna të tjera të Kosovës.

Komuna e Mitrovicës

Kryetari i Skenderajt dhe ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, ka thënë para gazetarëve se është e turpshme që ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës.

“Ata që kanë çuar dosje, ata që kanë qenë kundër luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë mendoj se nuk duhet ta kenë vendin në Qeverinë e Kosovës”, tha Lushtaku.

Komuna e Ferizajt

Në mesin e protestuesve janë duke marrë pjesë edhe veteranë të luftës, familjarë dhe qytetarë, të cilët kanë dalë për të shprehur kundërshtimin ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Aktgjykimi i 16 shtatorit shpalli fajtorë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për një varg veprash penale që lidhen me ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen.

Komuna e Gjilanit

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.

Në të njëjtin aktgjykim, trupi gjykues i shpalli ata të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet nga mbrojtja dhe Prokuroria e Specializuar.

Ndërkohë, protestat nëpër komunat e Kosovës janë shoqëruar me thirrje për kundërshtimin e aktgjykimit dhe për mbështetje ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Komuna e Vushtrrisë

Në disa prej protestave janë parë edhe pankarta dhe flamuj të UÇK-së, ndërsa protestuesit kanë përcjellë mesazhe kundër vendimit të Speciales.

Protestat në komuna vijnë në prag të protestës së paralajmëruar në Prishtinë më 1 tetor, ku organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale.

Debati për aktgjykimin ka nxitur reagime të shumta politike dhe publike në Kosovë, ndërsa përkrahësit e ish-krerëve të UÇK-së kanë kundërshtuar fuqishëm vendimin e gjykatës dhe kanë kërkuar që procesi të vazhdojë përmes mjeteve juridike.