Alarmi për përhapjen e virusit vdekjeprurës Ebola po rritet në Republika Demokratike e Kongos, ndërsa autoritetet shëndetësore raportojnë një shtim të shpejtë të rasteve të dyshuara dhe viktimave.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri tani janë regjistruar 671 raste të dyshuara dhe 160 viktima që besohet se kanë humbur jetën si pasojë e virusit të rrezikshëm.
Autoritetet konfirmuan se 64 infeksione dhe gjashtë vdekje janë verifikuar përmes analizave laboratorike si raste të Ebola-s. Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se shifrat reale mund të jenë shumë më të larta, pasi jo të gjitha rastet raportohen në kohë.
Situata ka ngritur shqetësime edhe në vendet fqinje. Në Uganda, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se janë identifikuar vetëm dy raste të lidhura me qytetarë nga Kongoja. Njëri prej pacientëve ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri rezultoi negativ pas trajtimit dhe vijon të mbahet nën monitorim mjekësor.
Sipas Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shpërthimi aktual nisi rreth dy muaj më parë në provincën Ituri, në verilindje të vendit, pranë kufirit me Ugandën dhe Sudanin e Jugut. Ky konsiderohet shpërthimi i 17-të i Ebola-s në Republikën Demokratike të Kongos që prej vitit 1976.
Ekspertët theksojnë se epidemia aktuale lidhet me variantin e rrallë Budibugyo, për të cilin ende nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime specifike, duke e bërë situatën edhe më alarmante.
Virusi Ebola, i njohur për shkallën e lartë të vdekshmërisë dhe përhapjen e shpejtë përmes kontaktit me lëngje trupore ose persona të infektuar, mbetet një nga kërcënimet më serioze shëndetësore në kontinentin afrikan. Kujtohet se epidemia e viteve 2014-2015 në Afrikën Perëndimore shkaktoi mbi 11 mijë viktima.


