Një ekzekutim me injeksion vdekjeprurës në Tennessee ka dështuar në mënyrë të pazakontë, pasi e dënuara me vdekje Christa Pike mbijetoi edhe pasi iu administruan dy doza të pentobarbitalit.
Pike, 50 vjeçe, u transportua në spital pas procedurës së ndërprerë në burgun Riverbend Maximum Security Institution në Nashville. Gjendja e saj nuk ishte bërë menjëherë e ditur, transmeton Telegrafi.
Sipas avokatëve të saj dhe dëshmitarëve të pranishëm, Pike vazhdoi të shfaqte shenja jete për një kohë të gjatë pas injeksioneve. Dëshmitarët raportuan se ajo merrte frymë dhe madje dëgjohej duke gërhitur rreth 40 minuta pas dozës së fundit.
Avokatët e saj paraqitën një kërkesë urgjente për ndalimin e ekzekutimit, duke argumentuar se Pike kishte ende rrahje zemre dhe se procedura nuk kishte arritur të prodhonte efektin e synuar. Më pas ajo u dërgua në një spital aty pranë.
Rasti është veçanërisht i rëndë edhe për faktin se Pike ishte planifikuar të bëhej gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee pas më shumë se 200 vjetësh. Gjykata Supreme e SHBA-së kishte lejuar ekzekutimin të vazhdonte vetëm disa orë përpara procedurës, duke rrëzuar një vendim që e kishte pezulluar atë.
Pike u dënua me vdekje për vrasjen e Colleen Slemmer, 19 vjeçe, në vitin 1995. Në kohën e krimit, Pike ishte vetëm 18 vjeçe. Ajo dhe i dashuri i saj e joshën Slemmerin në një zonë pyjore pranë një kampi trajnimi për të rinj dhe e vranë.
Avokatët e Pike kishin argumentuar se mosha e saj në kohën e krimit, historia e abuzimit seksual dhe problemet e rënda të shëndetit mendor duhet të merreshin parasysh përpara ekzekutimit. Ekspertë të pavarur të të drejtave të njeriut në OKB kishin bërë gjithashtu thirrje që dënimi të ndalohej.
Pas dështimit të ekzekutimit, guvernatori i Tennessee, Bill Lee, urdhëroi një hetim nga palë e tretë dhe pezulloi ekzekutimet e tjera të planifikuara në shtet për pjesën e mbetur të vitit. Autoritetet e burgjeve kanë deklaruar se procedura u zhvillua sipas protokollit të miratuar të shtetit.



