Gostivar – Protesta e banorëve të fshatit Debresh para Komunës së Gostivarit ka eskaluar gjatë ditës së sotme, pasi një grup protestuesish kanë thyer xhamat e objektit komunal, duke shprehur revoltën e tyre për mungesën e vazhdueshme të ujit të pijshëm, raporton Tetovasot.
Banorët e Debreshit ishin mbledhur para komunës për të kërkuar zgjidhje të menjëhershme për problemin me furnizimin me ujë, për të cilin thonë se po ua vështirëson seriozisht jetën e përditshme. Sipas tyre, institucionet kanë dështuar të ofrojnë një zgjidhje konkrete, ndërsa situata po bëhet edhe më e rëndë me afrimin e sezonit veror dhe ardhjen e mërgatës.
Gjatë protestës, tensionet janë rritur dhe një pjesë e protestuesve kanë dëmtuar xhamat e Komunës së Gostivarit. Në vendngjarje kanë intervenuar forcat policore për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të incidenteve, raporton Tetovasot.
Në deklaratat e tyre, banorët kanë theksuar se nuk kërkojnë premtime, por zgjidhje konkrete dhe furnizim të rregullt me ujë të pijshëm.
“Uji është e drejtë themelore dhe jo privilegj. Nuk kemi më durim – duam zgjidhje tani”, kanë deklaruar protestuesit.
Ata kërkojnë:
Furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm;
Transparencë nga institucionet përgjegjëse;
Masa urgjente për zgjidhjen përfundimtare të problemit;
Përgjegjësi për neglizhencën që ka shkaktuar këtë situatë.
Deri në këto momente nuk ka informacione zyrtare për persona të lënduar apo të arrestuar. Ndërkohë, autoritetet pritet të dalin me detaje shtesë lidhur me incidentin dhe dëmtimin e pronës publike, ndërsa banorët paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë nëse nuk ndërmerren hapa konkretë për zgjidhjen e problemit me ujin, raporton Tetovasot.

