FC Prishtina dhe JAKO kanë zyrtarizuar sot marrëveshjen e re të bashkëpunimit, përmes së cilës brendi i njohur gjerman i veshjeve sportive do të jetë sponsori i veshjeve të klubit për dy vjetët e ardhshëm.
Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i klubit, Driton Krasniqi, dhe përfaqësuesi i JAKO-s për Kosovë, Sedat Limani.
Bashkëpunimi i ri dëshmon vazhdimësinë dhe besimin e ndërsjellë mes dy palëve, ndërsa FC Prishtina dhe JAKO do të jenë së bashku në sfidat e dy edicioneve të ardhshme.
Presidenti i Prishtinës vlerësoi bashkëpunimin me Jakon:
“Ky bashkëpunim dyvjeçar me JAKO-n është një hap i rëndësishëm për FC Prishtinën. Jemi të kënaqur që për dy sezonet e ardhshme do të kemi përkrah nesh një markë gjermane si JAKO. Besojmë se ky partneritet do të jetë i suksesshëm për të dyja palët dhe do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të imazhit dhe profesionalizmit të klubit tonë. E vlerësojmë besimin e JAKO-s dhe presim që së bashku të ndërtojmë një bashkëpunim afatgjatë dhe të frytshëm”.
Në prezantimin e këtij bashkëpunimi, përfaqësuesi i JAKO Kosova, Sedat Limani, u shpreh i kënaqur për partneritetin me FC Prishtinën.
“Jemi shumë të kënaqur që kemi arritur këtë marrëveshje dyvjeçare me FC Prishtinën. Për ne, ky bashkëpunim është shumë më tepër sesa një marrëveshje komerciale. Synimi ynë është të ndërtojmë një partneritet strategjik, të bazuar në profesionalizëm, cilësi dhe zhvillim afatgjatë. FC Prishtina ka një histori dhe traditë të veçantë, si dhe një bazë të madhe e të përkushtuar tifozësh. JAKO synon të jetë partner i klubit në të gjitha strukturat e tij dhe besojmë se së bashku do të arrijmë suksese të rëndësishme edhe në të ardhmen”.



