Fehim Sali dërgohet në paraburgim për një muaj, dyshohet për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Spiunazhi”, nga neni 124 paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake ndaj të pandehurit F.S. ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila llogaritet nga data e arrestimit të tij, 13 gusht 2026 dhe zgjat deri më 13 shtator 2026.

Gjykata ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale për të cilën zhvillohen hetimet, si dhe se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.

Në vlerësimin e Gjykatës janë marrë parasysh rrethanat që lidhen me rrezikun e ikjes, rrezikun e ndikimit në dëshmitarë dhe në prova, si dhe rrezikun e përsëritjes ose vazhdimit të veprës penale. Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se, në këtë fazë të procedurës, masat më të buta nuk janë të mjaftueshme për neutralizimin e këtyre rreziqeve dhe për sigurimin e zhvillimit të papenguar të procedurës penale.

Me rastin e marrjes së vendimit, Gjykata ka shqyrtuar edhe pretendimet e mbrojtjes dhe rrethanat personale të të pandehurit, mirëpo ka ardhur në përfundimin se masa e paraburgimit, për periudhën fillestare prej një muaji, është masë e domosdoshme dhe proporcionale në rrethanat konkrete të çështjes.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./IndeksOnline/

By admin7