Filmi “Dua” i Blerta Bashollit hap edicionin e 18-të të PriFest

Pas një rrugëtimi ndërkombëtar, filmi kosovar “Dua” do të rikthehet në vendin e origjinës këtë shtator, për t’u shfaqur para publikut në Prishtinë.

Filmi me regji të Blerta Bashollit do të ketë rolin e veçantë për të hapur edicionin e 18-të të PriFest – Prishtina International Film Festival, duke shënuar një rikthim simbolik në Kosovë.

Lajmin e kanë bërë të ditur organizatorët e festivalit përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar prezantimin e filmit në Prishtinë si një moment të rëndësishëm.

“Dua” sjell një histori të krijuar në Kosovë dhe të realizuar nga një ekip artistësh e profesionistësh kosovarë, e cila më pas ka kaluar kufijtë e vendit dhe ka udhëtuar në skenën ndërkombëtare.

Ngjarja e filmit fokusohet te adoleshenca, miqësia, identiteti dhe rezistenca, ndërsa rrëfimi zhvillohet në sfondin e një prej periudhave më të vështira të historisë së afërt të Kosovës.

Në kastin e filmit interpretojnë Pinea Sylejmani, Vlera Bilalli, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Sylejmani, Andi Bajgora, Fiona Abdullahu dhe Arben Bajraktaraj.

Bashkautorë të skenarit janë Blerta Basholli dhe Nicole Borgeat. Për montazhin është kujdesur Enis Saraçi, ndërsa drejtimin e fotografisë e ka realizuar Lucie Baudinaud.

Producentët e filmit janë Valon Bajgora, Thomas Reichlin, Britta Rindelaub, Agon Uka dhe Yll Uka. Në rolin e bashkëproducentëve janë Amaury Ovise dhe Olivier Pere.

“Dua” është realizuar si bashkëprodhim mes Kosovës, Zvicrës dhe Francës.

Rikthimi në Prishtinë do të jetë pjesë e hapjes së festivalit, i cili do të sjellë gjashtë ditë me filma, takime dhe aktivitete të ndryshme kulturore.

Për PriFest-in, ky rikthim ka edhe një domethënie të veçantë: filmi që nisi rrugëtimin e tij nga Kosova tani po kthehet për t’u prezantuar në shtëpinë e tij.

“Dua po vjen në shtëpi”, kanë shkruar organizatorët e festivalit.

By admin4