Një 63-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se është përplasur me shpejtësi të lartë me portën hyrëse të rezidencës së Beyonce dhe Jay-Z në East Hampton.
Sipas raportit të policisë, të siguruar nga Page Six, drejtuesi i mjetit ka hyrë me shpejtësi në rrugicën e rezidencës dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në portat mekanike të pronës.
Pas incidentit, burri është arrestuar dhe është dërguar në spitalin Stony Brook për të marrë trajtim për dhimbjet e shkaktuara. Automjeti i tij është sekuestruar, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë, shkruan DailyMail.
Autoritetet kanë bërë të ditur se personi nuk ka histori kriminale dhe se në momentin e ngjarjes dukej i hutuar. Sipas policisë, ai nuk ka bërë kërcënime dhe nuk ka përmendur emrat e pronarëve të rezidencës.
Oficerja Jennifer Dunn deklaroi se mund të ketë qenë një rastësi që ai përfundoi në atë pronë, pasi mund të ketë pasur një problem shëndetësor.
Para përplasjes, burri kishte ndaluar edhe në një tjetër shtëpi në të njëjtën zonë, duke pyetur për një grua që nuk banonte aty, çka kishte ngritur dyshime për gjendjen e tij të hutuar.

Policia nuk gjeti armë apo kërcënime të drejtpërdrejta, ndërsa ndaj tij janë përgatitur dokumente për shkelje të pronës dhe dëmtim kriminal.
Beyoncé dhe Jay-Z e blenë këtë rezidencë buzë detit në vitin 2017 për 26 milionë dollarë, që korrespondojnë me rreth 22,4 milionë euro. Prona, e njohur si Pond House Estate, ishte nxjerrë fillimisht në treg në vitin 2009 për 39,5 milionë dollarë, ose rreth 34 milionë euro.



