Fundjava do të karakterizohet nga mot kryesisht i qëndrueshëm, me diell dhe vranësira të pakta deri mesatare, duke krijuar kushte të favorshme për aktivitete në natyrë. Megjithatë, në disa zona do të fryjë erë mesatare deri e fuqishme nga veriperëndimi, më e theksuar në pjesët lindore të vendit dhe përgjatë luginës së Vardarit.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 6 deri në 16 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 22 deri në 30 gradë.
Në Shkup pritet mot me diell dhe vranësira të pakta lokale. Era do të jetë e dobët deri mesatare me drejtim të ndryshueshëm, ndërsa temperaturat do të variojnë nga 11 gradë në mëngjes deri në 28 gradë Celsius gjatë ditës.
Sipas parashikimeve, moti i qetë do të vazhdojë gjatë gjithë fundjavës. Të hënën pritet një ndryshim i kushteve atmosferike, me reshje të reja shiu dhe paqëndrueshmëri lokale. Nga e marta moti do të stabilizohet sërish, ndërsa temperaturat do të shënojnë rritje graduale.



