Hetuesit francezë kanë goditur një rrjet të dyshuar të kontrabandës së armëve me lidhje në Zvicër, duke akuzuar nëntë persona, mes tyre edhe një oficer policie.
Sipas autoriteteve, grupi dyshohet se siguronte armë zjarri në Zvicër dhe më pas i trafikonte në rajone të ndryshme të Francës. Operacioni u zhvillua pas një aksioni të gjerë më 23 qershor, gjatë të cilit u arrestuan gjithsej 12 persona – 10 në Francë dhe 2 në Zvicër. Në operacion morën pjesë autoritetet franceze, homologët zviceranë dhe Europol.
Të dyshuarit akuzohen për posedim, prodhim dhe trafikim të paligjshëm të armëve, municioneve dhe materialeve luftarake të kategorive A dhe B, si dhe për pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Sipas hetimeve, njëri prej të arrestuarve konsiderohet organizatori kryesor i rrjetit. Ndërsa oficeri i policisë dyshohet se ka ndihmuar aktivitetin kriminal duke përdorur bazat e të dhënave të policisë. Të dy po hetohen edhe për ryshfet dhe pranim të mallrave të vjedhura.
Gjatë bastisjeve, autoritetet sekuestruan 23 armë zjarri, përfshirë disa armë të modifikuara, granata, eksplozivë, detonatorë, mbi 100 mijë euro para të gatshme dhe tre automjete.
Tetë nga nëntë të akuzuarit janë lënë në paraburgim, ndërsa një person është vendosur nën mbikëqyrje gjyqësore.
Ky operacion vjen në një kohë kur Zvicra po përballet me një rritje të vjedhjeve në dyqanet e armëve. Vetëm në fillim të korrikut, policia kantonale e Cyrihut arrestoi tre shtetas francezë të dyshuar për vjedhjen e armëve nga një dyqan në Pfungen. Të dyshuarit u ndaluan pas një ndjekjeje policore në Flaach, ku në automjetin e tyre u gjetën armë të vjedhura.



