Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, po vazhdon të marrë vlerësime maksimale për paraqitjet e tij në Premier Ligë, ndërsa së fundmi është cilësuar si transferimi më i mirë i sezonit nga prestigjiozja “The Athletic”.
Mesfushori shqiptar u transferua nga Bayer Leverkusen te Sunderland për 17.3 milionë paund, duke nënshkruar kontratë trevjeçare. Ky transferim po konsiderohet si një nga lëvizjet më të suksesshme në historinë e klubit anglez.
Sipas raportimeve, ish-drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, kishte insistuar për afrimin e Xhakës te kuqezinjtë italianë, por drejtuesit e klubit nuk miratuan investimin. Vendimi për të mos e transferuar mesfushorin tashmë po shihet si një mundësi e humbur për Milanin, veçanërisht pas sezonit fantastik që Xhaka zhvilloi në Angli.
“The Athletic” e përshkruan Xhakën si liderin absolut të Sunderlandit, duke theksuar se ai ka sjellë përvojë, karakter, cilësi dhe mentalitet fitues në skuadër. Në analizën e mediumit britanik, 32-vjeçari cilësohet si “trajner në fushë”, lojtari më i rëndësishëm i ekipit dhe njeriu që ka transformuar jo vetëm dhomën e zhveshjes, por edhe kulturën e klubit.
Falë ndikimit të tij, Sunderland realizoi një sezon të jashtëzakonshëm pas rikthimit në Premier Ligë dhe siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, duke e bërë transferimin e Xhakës një sukses të padiskutueshëm.
Vlerësimet për mesfushorin shqiptar vazhdojnë të rriten, ndërsa shumë analistë e konsiderojnë atë si një nga blerjet më të mira që Sunderland ka bërë ndonjëherë.


