Greqia me rezerva karburanti për vetëm dy muaj, alarm për furnizimet nëse kriza në Lindjen e Mesme vazhdon

Greqia ka aktualisht rezerva karburanti që mbulojnë rreth dy muaj konsum, ndërsa shqetësimet në sektorin energjetik po rriten për shkak të pasigurive të lidhura me zhvillimet në Lindjen e Mesme, veçanërisht në zonën e Gjirit Persik.

Sipas burimeve nga industria e rafinimit, vendi është i siguruar në afat të shkurtër, por çdo përshkallëzim i situatës mund të ndikojë drejtpërdrejt në furnizimet e reja. Një drejtues i lartë i sektorit ka deklaruar për Kathimerini se: “Jemi plotësisht të siguruar për dy muaj. Nëse lundrimi në Ngushtica e Hormuzit nuk rikthehet, situata do të bëhet më e vështirë në periudhën e ardhshme”.

Greqia disponon katër rafineri kryesore – në Aspropyrgos dhe Elefsina në Athinë, një në Selanik dhe një tjetër në Agioi Theodoroi – të cilat prodhojnë një gamë të gjerë produktesh të naftës, përfshirë benzinë, naftë, karburante për ngrohje, aviacion dhe transport detar.

Megjithatë, mbi 50% e prodhimit të këtyre rafinerive eksportohet, çka e bën tregun vendas më të ndjeshëm ndaj ndërprerjeve të mundshme në zinxhirin global të furnizimit. Rezervat aktuale nuk i tejkalojnë nivelet minimale të detyrueshme, të cilat synojnë të mbulojnë kërkesën për rreth 90 ditë.

Nëse tensionet në rajon vazhdojnë dhe transporti përmes korridoreve kyçe detare mbetet i kufizuar, autoritetet dhe industria mund të përballen me presion të shtuar për të garantuar furnizim të qëndrueshëm në muajt në vijim.

By admin