Gruda: Është e papranueshme të lejojmë që Kuvendi të shpërndahet pa e trajtuar ligjin për Dhomat e Specializuara

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, në një konferencë për media ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës ta trajtojë ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara para se të përfundojë mandati i tij.

Gruda tha se kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit të këtij Kuvendi dhe se nuk është e pranueshme që ai të shpërndahet pa e trajtuar një ligj që, sipas tij, ka rëndësi të veçantë.

“Kanë mbetur edhe pak ditë dhe kuvendi mund dhe të shpërndahet. Nuk ia fal askujt që një Kuvend të shpërndahet pa e trajtuar ligjin më të rëndësishëm që ka trajtuar Kuvendi që nga viti 2008. Ky ligj është hartuar me ekspertizë të lartë”, tha Gruda.

Ai theksoi se PDK-ja është e gatshme të dëgjojë edhe opinionet e tjera gjatë shqyrtimit në Kuvend.

“Ky nuk është ligj i PDK-së, por ligj për mbrojtjen e UÇK-së dhe historisë sonë. Këtë duhet ta bëjmë bashkë. Ky ligj nuk cenon asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë dhe as marrëveshjen me Holandën”, u shpreh Gruda.

Gruda kërkoi që të sqarohet se kush po e pengon dhe kush po e shtyn përpara këtë çështje, duke theksuar se Kuvendi ka afat deri më 6 tetor.

“E di që Qeveria i ka 30 ditë, por Kuvendi ka deri më 6 tetor. Nuk mundet Kuvendi të merret peng nga një zyrë administrative. Kërkoj pak më shumë patriotizëm. Ky nuk është një ligj i zakonshëm”, deklaroi ai.