Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas pretendimeve se në protestat kundër investimeve në Zvërnec janë infiltruar grupe serbe dhe greke.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama la të kuptohet se së shpejti do të bëhen publike më shumë detaje, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj atyre që, sipas tij, po veprojnë nën petkun e patriotizmit.
“Ouuu….. Po ky vetë? Avash avash, të gjithë do dalin! Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme”, shkroi Rama në Facebook.
Deklarata e kreut të qeverisë vjen në një kohë kur debati për investimet në zonën e Zvërnecit ka rikthyer përplasjet politike dhe publike, ndërsa akuzat për ndikime të jashtme kanë shtuar tensionet rreth çështjes.
Mbetet të shihet nëse Rama do të publikojë emra apo prova konkrete lidhur me pretendimet për infiltrimin e grupeve të huaja në këto protesta.

