Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi është intervistuar të mërkurën në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Pas përfundimit të intervistimit, Thaçi tha para medieve se është ftuar në cilësinë e dëshmitarit.
“Si dëshmitar natyrisht se më pytën për çdo gjë, edhe unë për çkado që di do t’iu përgjigjem prokurorëve”, tha Thaçi.
Ai është intervistuar lidhur me hetimet që po zhvillohen për shpronësimet në Shipitullë.
Mirëpo nga Prokuroria Speciale kanë konfirmuar se Thaçi është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale “Ushtrim ndikimi”.
“Mund të konfirmojmë se H.Th., është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi”, tha zëdhënësja e PSRK-së, Arbnora Luta.



