Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, për tentimin për t’i hedhur fajin opozitës për dështimin e zgjedhjes së presidentit.
Në një video-adresim për qytetarët, Hamza u shpreh se Kurti ka refuzuar bashkëpunimin dhe kompromisin prej vitesh, duke kërkuar nënshtrim dhe jo bashkëpunim, transmeton IndeksOnline.
“Nga fyerjet e mëhershme për ne si opozitë, dje dëgjuam moralizim politik. Por moralizim pa përgjegjësi dhe pa vetëdije për dëmet që shkakton me retorikën e tij. Çdo lider politik i përgjegjshëm ndalet, reflekton dhe bashkëpunon, sidomos në momentet kur vendi ka më së shumti nevojë. Ndërsa z. Kurti, për vite me radhë, ka bërë të kundërtën: ka refuzuar bashkëpunimin, ka refuzuar kompromisin dhe ka zgjedhur përplasjen si mënyrë veprimi. Edhe tani ai po kërkon nënshtrim, jo bashkëpunim. Po e kërkon përkrahjen tonë, jo për shtetin, por për pushtetin e tij. Jo për stabilitetin e vendit, por për stabilitetin e tij politik”, ka thënë Hamza.
Prej gati dy vitesh, Hamza ka thënë se vendi po mbahet peng i bllokadave politike të Kurtit.
Ai shtoi se ka dëshmuar vullnet dhe gatishmëri që kjo çështje të trajtohet seriozisht dhe në interes të qytetarëve.
“Ne si PDK kemi ofruar zgjidhje konkrete. Kemi ofruar marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kemi ofruar marrëveshje vetëm për presidentin dhe diskutim për emra konsensualë në një fazë të dytë, pas dakordimit parimor. Madje kemi mbështetur edhe figura unifikuese, që i bashkojnë të gjithë qytetarët tanë. Por, kjo qasje konstruktive e jona nuk u vlerësua. U shtrembërua. U keqinterpretua. U përdor për konsum politik” u shpreh Hamza.

