Hamza: S’kam vija të kuqe, duhet marrëveshje politike ende pa u konstituuar Kuvendi, qytetarët na thanë “na keni lodhë”

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza tha se nuk ka vija të kuqe për marrëveshje politike për bashkëqeverisje dhe për krijimin e institucioneve.

Ai tha në një konferencë për media se do të kishte preferuar një qeveri pa LVV-në, por shtoi se nuk është përjashtues.

“E kam dhënë preferencën time, që më e shëndetshme për vendin është krijimi i partive të cilat kemi qenë në opozitë. Tash varet kjo prej numrave, ka më shumë formula. Mirëpo nuk kam qenë përjashtues. Dhe mendoj që për me pasë institucione shpejt dhe të qëndrueshme duhet me pasë marrëveshje politike qysh tash, pa filluar ende konstituimi i Kuvendit”, tha ai.

Hamza tha se “vendi dhe prioritetet e vendit nuk presin”.

“Unë pres që të ketë një formim të shpejtë të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë të gjitha nivelet, edhe Kuvendin, edhe qeverinë, edhe Presidentin dhe të kemi një përmbyllje të këtij cikli dhe t’i kthehemi punës”, tha ai.

Abstenimin e madh qytetar në zgjedhje, Hamza e thjeshtësoi me një fjali.

“Përndryshe, 200 mijë vota më pak, po e thjeshtësoj çka na kanë thënë votuesit: ‘na keni lodhë – boll’”, tha ai.

By admin7