Haradinaj: Për Kurtin është lezet me shku në zgjedhje

Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për qasjen e tij ndaj siç tha ai shkuarjes në zgjedhje.

Haradinaj, në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, tha se në situatat kur duhet të zgjidhet mes bashkëqeverisjes apo ndarjes së përgjegjësive dhe shkuarjes në zgjedhje, Kurti, sipas tij, gjithmonë zgjedh zgjedhjet.

“Pra, në zgjidhjen në mes të bashkëqeverisjes ose ndarjes së përgjegjësive dhe zgjedhjeve, ai çdo herë i zgjedh zgjedhjet, sepse për të është lezet me shkuar në zgjedhje prej pushtetit, prej qeverisë, me buxhet të popullit, me derivate, me meditje të atyre që janë”, tha Haradinaj.

Ai e akuzoi Kurtin se zgjedhjet i trajton si lojë dhe tha se, siç tha ai, jo të gjithë qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar këtë qasje, njofton Klankosova.tv.

“Ai i bën zgjedhjet si lojë dhe fatkeqësisht jo të gjithë qytetarët e Kosovës ia kanë kuptuar këtë lojë të tij dhe ende po ka mbështetje”, deklaroi Haradinaj.

Në fund, ai tha se shpreson që qytetarët ta kuptojnë, siç u shpreh ai, se Kurti “po luan realisht me qytetarin e Kosovës, me situatën e tij të rëndë”.