Haxhiu e shtyn seancën, Vetëvendosje nuk i voton Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën si nënkryetarë

Seanca konstituive e kuvendit është shtyrë për të premten në orën 11:00.

Kështu ka njoftuar kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu.

‘’Por po ashtu me lejoni t’i referohem një takimi që kisha me përfaqësuesit e subjekteve politike, pra në atë takim nuk pati dakordim për mënyrën e votimit për nënkryetar të Kuvendit. Nga ai takim, siç unë e kuptova, ishte e qartë që as propozimi i grupit parlamentar, përkatësisht subjektit politik PDK, që ishte zonja Vlora Çitaku, e në anën tjetër as propozimi i LDK’së, që ishte zoti Kujtim Shala, sikurse zonja Nagavci ngriti shqetësimet e njëjta me deklarimet e deputetit Simiq, janë jo kushtetuese, pra është e qartë që nuk ka vota për propozimet e tyre për tu zgjedhur nënkryetarë të kuvendit. Prandaj konsideroj që duhet dakordim për këtë çështje, dhe si rrjedhojë seanca konstituive i vazhdon punimet të premten në orën 11’’, ka thënë Haxhiu.

Kjo erdhi pasi që deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, propozoi Slavko Simiqin për nënkryetar të Kuvendit, duke thënë se këtë po e bën ‘’në emër të popullit serb’’.

Përveç Haxhiut që u zgjodh kryetare e kuvendit, asnjëri nga nënkryetarët e propozuar nga partitë s’është zgjedhur për këtë pozitë.

Ndryshe, Vetëvendosja ka propozuar për nënkryetar kuvendi, Ardian Golën.

Partia Demokratike e Kosovës, ka propozuar Vlora Çitaku.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka propozuar Kujtim Shalën.

Ndërsa deputetët nga komunitetet jo shumicë kanë propozuar Slavko Simiq, dhe, Emilija Rexhepin./Express