Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar në lidhje me pretendimet dhe raportimet mbi veprimtari të koordinuar hibride me synim destabilizimin e Malit të Zi, duke deklaruar se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, transmeton Anadolu.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Hoxha ka theksuar se ka parë deklaratën e Kryeministrit të Malit të Zi, Millojko Spajiq, për përfshirjen e pretenduar të zyrtarëve nga “të paktën dy vende të rajonit” në veprimtari të koordinuara hibride si dhe gjithashtu interpretimet dhe aludimet e ndryshme mediatike që kanë pasuar.
“Raportimet e mediave janë pjesë e debatit publik. Ne i lexojmë dhe i analizojmë me vëmendjen e duhur, por i marrim me rezervën e nevojshme, aq më tepër kur përmbajnë interpretime të ndryshme apo kontradiktore. Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër”, është shprehur Hoxha.
Sipas tij, Shqipëria investon çdo ditë në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian e euroatlantik.
“Hamendësimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet”, ka shtuar Hoxha.
Kryediplomati Hoxha ka theksuar se aktorët e ndryshëm, përfshirë ata politikë, janë të mirëpritur të marrin nga ministria çdo informacion të nevojshëm për të shmangur sipas tij debate të panevojshme dhe, mbi të gjitha, “për të mos lejuar që politika e jashtme e vendit të kthehet në objekt apo instrument të debateve dhe qasjeve partiake të brendshme”.
Ministri Hoxha është shprehur ndër të tjera se politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi.
Kryeministri malazez, Millojko Spajiq, ka ngritur pretendime për ekzistencën e informacioneve serioze të sigurisë lidhur me një veprimtari të koordinuar hibride me synim destabilizimin e Malit të Zi.



