Hoxhaj: Rikthimi i emërtimeve të periudhës jugosllave në Tetovë është hap prapa

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj vendimeve për rikthimin e emërtimeve të periudhës jugosllave në Tetovë, duke i cilësuar ato si një cenim të kujtesës historike, identitetit dhe frymës së bashkëjetesës së ndërtuar pas Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas Hoxhajt, rikthimi i emërtimeve që lidhen me Josip Broz Titon ringjall simbolikën e regjimit jugosllav, i cili, sipas tij, shtypi shqiptarët për dekada dhe lidhet me trashëgiminë e Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), përgjegjëse për krime të rënda gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ai theksoi se të drejtat e fituara të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut duhet të mbrohen, duke shtuar se çdo veprim që cenon frymën e Marrëveshjes së Ohrit dëmton demokracinë, paqen dhe rrugën evropiane të vendit. Sipas Hoxhajt, shqiptarët meritojnë barazi të plotë, siguri juridike dhe respekt për të drejtat e fituara.

By admin2