Grupi Huthi në Jemen, i mbështetur nga Irani, ka shpallur bllokadën e vet detare ndaj transportit detar të Arabisë Saudite, një përshkallëzim që mund ta rindezë edhe një konflikt tjetër rajonal të ngrirë dhe të kërcënojë furnizimin global me naftë.
Pamjet e Reuters tregojnë mbështetës të Huthëve në Jemen të mbledhur në kryeqytetin Sana të hënën mbrëma, duke përshëndetur bllokadën detare.
Huthët, një nga aleatët kryesorë të Iranit në rajon, kanë paralajmëruar prej kohësh se mund të ndërmarrin veprime për ta bllokuar Ngushticën Bab al-Mandab, një pikë strategjike në skajin jugor të Detit të Kuq.
Mbyllja e kësaj rruge strategjike ujore mund të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në tregtinë globale dhe t’i tronditë më tej tregjet e naftës, shkruan CNN.
Bab al-Mandab, që përkthehet si “Porta e Lotëve”, ndodhet në skajin jugor të Detit të Kuq dhe është një hyrje kyçe drejt Kanalit të Suezit, duke lidhur Europën me Azinë përmes një prej rrugëve detare më të ngarkuara në botë. Me vetëm 29 kilometra gjerësi në pikën e saj më të ngushtë, ajo është vendi ku anijet kanë qenë më parë objekt sulmesh nga rebelët Huthi.
Pothuajse 15% e tregtisë detare globale kalon përmes Bab al-Mandabit. Sipas vlerësimeve të industrisë, ndërprerjet e mëparshme të transportit detar gjatë periudhës 2023–2025 kanë kushtuar rreth 20 miliardë dollarë në vit.
Ngushtica është një rrugë jetike eksporti për Arabinë Saudite, eksportuesin më të madh në botë të naftës bruto, dhe gjatë luftës ka mbetur kryesisht e lundrueshme.



