Një incident i rëndë tronditi rajonin e Strumicës, pasi gjashtë persona nga fshati Prosenikovo përballen me denoncime penale me dyshimin se kanë marrë pjesë në një ngjarje të dhunshme, ku janë sulmuar anëtarët e një familjeje, dhe më vonë janë sulmuar edhe oficerët e policisë që ndërhynë.
Nga SPB Strumica informuan se denoncimet penale janë paraqitur kundër B.D. (22), T.J. (49), S.D. (47), V.M. (36), G.T. (42) dhe M.T. (21), të gjithë banorë të fshatit Prosenikovo. Disa prej tyre, përveç dhunës, ngarkohen edhe me vepra të tjera penale të lidhura me ngjarjen, përcjell Pa Censurë.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, incidenti ndodhi më 24 korrik rreth orës 21:20, kur të denoncuarit, sipas hetimit, hynë me dhunë në shtëpinë e K.Gj. në fshatin Saraj, Strumicë.
Atje, siç njofton policia, u sulmuan fizikisht disa persona, mes të cilëve K.Gj., Z.Gj., R.Gj., V.Gj., B.M., B.Gj. dhe dy të mitur. Në sulm ata pësuar lëndime trupore.
Rëndësi shtesë i jep rastit pretendimi se T.J. dhe G.T. u përpoqën të rrëmbejnë R.Gj. kundër vullnetit të saj, prandaj kundër tyre është paraqitur denoncim edhe për veprën penale “heqje e paligjshme e lirisë”.
Situata u përkeqësua më tej kur arritën oficerët e policisë. Sipas MPB, B.D. u soll agresivisht ndaj policëve dhe sulmoi fizikisht dy oficerë, prandaj ngarkohet edhe për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë, njofton Pa Censurë.
Të dyshuarit u arrestuan dhe u mbajtën në Stacionin e Policisë Strumicë, ndërsa për të gjithë rastin u njoftua prokurori publik. Autoritetet vazhdojnë hetimin për sqarimin e plotë të të gjitha rrethanave.
Gjatë ngjarjes, K.Gj. doli në tarracën e shtëpisë dhe me pushkë gjuetie qëlloi dy herë në ajër. Pas dokumentimit shtesë të rastit, kundër tij do të paraqitet denoncimi përkatës.
Policia vazhdon të verifikojë të gjitha detajet e konfliktit që u shndërrua në një incident serioz me disa vepra penale të denoncuara.



