I dërguari kryesor i Bordit të Paqes për Gazën i presidentit të SHBA-së Donald Trump, Nickolay Mladenov do të zhvillojë sot bisedime me zyrtarë të lartë izraelitë mbi situatën në enklavën palestineze.
Gjatë bisedimeve, Mladenov pritet t’i kërkojë Izraelit të lehtësojë kufizimet për hyrjen e furnizimeve humanitare në Rripin e Gazës së bllokuar dhe të kufizojë operacionet e tij ushtarake atje, tha faqja e internetit e lajmeve “The Times of Israel”.
Udhëtimi i tij në Izrael vjen pasi i dërguari zhvilloi bisedime me Hamasin në Egjipt mbi zbatimin e planit të armëpushimit të Trumpit në Gaza. Nuk u dhanë detaje rreth përmbajtjes së diskutimeve midis dy palëve, por media izraelite pretendoi se bisedimet e Mladenovit me grupin për çarmatim kanë dështuar.
Sipas “The Times of Israel”, Hamasi këmbënguli se çështja e armëve të tij mund të trajtohej vetëm si pjesë e një kuadri që kulmon me krijimin e një shteti palestinez. Hamasi nuk ka lëshuar asnjë deklaratë lidhur me bisedimet me Mladenovin ose ndonjë koment mbi raportet e mediave izraelite.
Më 29 shtator 2025, Trumpi njoftoi një plan trefazor për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare të Izraelit në Gaza, përfshirë armëpushim, tërheqje të pjesshme, lirimin e pengjeve izraelite dhe hyrjen e kamionëve me ndihma.
Derisa Hamasi liroi të gjitha pengjet izraelite sipas fazës së parë të marrëveshjes, Izraeli nuk e zbatoi plotësisht armëpushimin dhe vazhdoi sulmet, duke vrarë mbi 830 persona dhe duke plagosur gati 2.350 të tjerë që nga armëpushimi.
Tel Avivi ka refuzuar të lejojë sasitë e dakorduara të furnizimeve humanitare në enklavë, ku rreth 2.4 milionë palestinezë, përfshirë 1.5 milion të zhvendosur, përballen me kushte të rënda humanitare.
Faza e dytë e planit të Trumpit përfshin tërheqjen më të gjerë të Izraelit nga Gaza, rindërtimin dhe fillimin e çarmatimit të fraksioneve, asnjëra prej të cilave nuk është arritur.
Izraeli ka vrarë mbi 72.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 172 mijë të tjerë në sulmet brutale në Rripin e Gazës që nga tetori 2023./ AA.

