I shpëtoi shkarkimit, Abdixhiku rikthen takimet me VV-në dhe flet për “reforma” në parti

Me një rezultat të ngushtë, Lumir Abdixhiku ka mbetur në pozitën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Pas përfundimit të punimeve të Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ai foli para gazetarëve.

Abdixhiku u shpreh qysh në fillim se “ky Kuvend ishte i panevojshëm” dhe se, sipas tij, e ka mbajtur këtë parti temë tash e disa muaj.

“Ky Kuvend ka qenë i panevojshëm, i padobishëm për LDK-në. Na ka mbajtur temë, panevojshëm, tash e sa muaj”, tha ai.

Kreu i LDK-së foli edhe për një reformë brenda partisë, e cila, sipas tij, nuk është përjashtuese.

Ai u shpreh se ata që nuk besojnë në të njëjtën rrugë nuk mund të vazhdojnë ta kritikojnë partinë. Sipas Abdixhikut, “dëmi po bëhet i madh”.

“Reforma nuk është përjashtuese, por zgjeruese. Natyrisht, ata që nuk kanë bindje në këtë rrugë s’mund të vazhdojnë ta kritikojnë e ta sulmojnë LDK-në gjithandej.

Nëse dikush s’do të jetë më me këtë bindje e vizion, në rregull, por ai që mban logon e LDK-së duhet të mbajë përgjegjësi, sepse dëmi po bëhet i madh”, tha ai.

Më pas, ai njoftoi se e ka hequr pezullimin e takimeve me Lëvizjen Vetëvendosje.

“LDK-ja ka një mision shumë më të madh. Sot miratoi një deklaratë, të cilën do ta bëjmë publike shumë shpejt. Deklarata ka të bëjë me gjendjen politike në Kosovë. Ajo mbështet përpjekjet tona për ta stabilizuar situatën politike dhe për t’i shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Me këtë deklaratë, delegatët kërkuan edhe nga deputetët dhe anëtarët e Kryesisë që ta respektojnë plotësisht këtë orientim partiak. Po ashtu, morëm vendim që në Këshillin e Përgjithshëm të jenë anëtarë me të drejta të plota të gjithë deputetët e zgjedhur.

Nga nesër e tutje do të përpiqemi t’i vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Prej këtij momenti e heq çështjen e pezullimit dhe LDK-ja është e hapur të diskutojë tutje për pozicionet”, tha ai, transmeton Nacionale.

Për bashkëpunimin me VV-në, foli edhe nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri. Ai ka thënë se nga nesër në mëngjes, Abdixhiku “rikthen autorizimin për bashkëpunim”.

“Kërkesa e parë e kolegëve u mbyll sot në Kuvend, në një atmosferë kolegiale siç di LDK-ja, paqësore, e durueshme, miqësore. Ky kapitull u përfundu.

Nesër në mëngjes kryetari i LDK-së rikthen autorizimin për bashkëpunim…nga nesër e tutje duhet që në mënyrën e njëjtë si sonte me përballu përmbushjen e kërkesës së dytë”, ka thënë ai.

Haziri nga gazetarët u pyet lidhur me marrëveshjen me Vetëvendosjen, duke thënë se mund të ketë bashkëpunim.

“Bashkëpunimi…në tri parime që i kemi thënë tash e një kohë, duhet të kemi marrëveshje për të gjitha ose asgjë, agjenda shtetërore, politikat sektoriale, programet qeverisëse.

E treta, jo më pak e rëndësishme, konform këtyre dy të parave, aty ku secili e merr rolin e merr edhe përgjegjësinë, kjo duhet me u bë në kuadër të një marrëveshje bashkëpunimi”, u shpreh Haziri.

By admin7