I tha ChatGPT-së se do të vriste ish-të dashurën, OpenAI njoftoi FBI

OpenAI raportoi në FBI një 25-vjeçar nga Florida, pasi ky i fundit shkroi në ChatGPT plane të hollësishme për përdhunimin dhe vrasjen e ish-të dashurës.
Darren Zhou i shkroi robotit bashkëbisedues se do ta vriste të renë deri në fund të muajit.

Sipas hetuesve, ish-analisti i një banke të njohur iu drejtua ChatGPT-së në mars për të diskutuar ndarjen nga lidhja gjashtëmujore.
Ai tregoi xhelozinë ndaj burrave që e rrethonin ish-partneren dhe dëshirën për t’u ribashkuar me të.
Mesazhet u shndërruan më pas në kërcënime për përdhunim, vrasje dhe vrasje të ndjekur nga vetëvrasja.
Kërcënimet e tij u zgjeruan dhe përfshinë edhe familjen e 21-vjeçares.

OpenAI lejon shqyrtimin e bisedave nga punonjësit dhe njoftimin e autoriteteve kur zbulohet një rrezik serioz për persona të tjerë.
Në maj, FBI-ja i dorëzoi Zyrës së Sherifit të Qarkut Palm Beach bisedat e Zhou-s gjatë dy muajve.
Një efektiv vlerësoi se mesazhet nuk ishin shpërthime të paqarta emocionale, por tregonin një model planifikimi.
Ish-e dashura tha se ishte ndarë prej tij për shkak të sjelljes së çrregullt, xheloze dhe kontrolluese.
Pas ndarjes, Zhou dyshohet se e përndoqi me telefonata, mesazhe dhe komunikime kërcënuese në rrjetet sociale.
Policia e arrestoi në maj, ndërsa ai u lirua pas dy ditësh kundrejt një garancie prej 100 mijë dollarësh.

Prokuroria e akuzoi për përndjekje të rëndë, kërcënime me shkrim për vrasje dhe përdorim të paligjshëm të telefonit celular.
Më 13 gusht, Zhou u deklarua fajtor për të tria akuzat dhe arriti një marrëveshje që e shmangu burgimin.
Gjykata e dënoi me tetë vjet mbikëqyrje nga shërbimi i provës dhe vendosi ndaj tij një sërë kufizimesh.

By admin7