Legjenda e muzikës turke, Ibrahim Tatlises, ka tronditur opinionin publik me vendimin e tij më të fundit lidhur me trashëgiminë e pasurisë së tij marramendëse. Pas një lufte të gjatë ligjore dhe publike me djalin e tij të madh, Ahmet Tatlises, “Perandori” ka deklaruar se ka nisur procedurat zyrtare për t’ia lënë pasurinë e tij shtetit turk dhe shoqatave bamirëse.
”Asnjë qindarkë për ata që nuk më respektuan”
Përmes një deklarate të ashpër, Tatlises është shprehur se pasuria e krijuar me 45 vite punë dhe djersë nuk do të shkojë për fëmijët që i kanë dalë kundër.
”Unë e ngrita këtë perandori me thonj. Nuk kam ndërmend t’u lë frytet e punës sime njerëzve që nuk ishin pranë meje kur kisha nevojë dhe që më dërguan nëpër gjykata,” – mësohet të ketë thënë këngëtari.
Çfarë përfshin pasuria e tij?
Pasuria e Tatlises vlerësohet në dhjetëra miliona euro dhe përfshin:
Hotele luksoze në Bodrum dhe Kusadasi.
Komplekse banimi dhe biznese ndërtimi në Stamboll.
Zinxhirin e famshëm të restoranteve “Tatlises Kebap”.
Të drejtat e autorit për qindra këngë dhe prodhime televizive.
Llogari bankare të majme dhe makina luksoze.
Beteja ligjore
Edhe pse ligji turk mbron “pjesën e detyrueshme” të trashëgimisë për fëmijët, avokatët e Tatlises po kërkojnë hapësira ligjore përmes “shkakut të mosmirënjohjes” për të realizuar vullnetin e tij. Ky vendim vjen fill pas kërkesës së djalit të tij në gjykatë për të vendosur një kujdestar mbi pasurinë e të atit, me pretendimin se këngëtari nuk është në gjendje të menaxhojë financat.
Ky lajm ka shkaktuar reagime të shumta në Turqi dhe Ballkan, ku Tatlises gëzon një popullaritet të jashtëzakonshëm, duke u parë si fundi i hidhur i një sage familjare që ka zgjatur prej vitesh.
Ibrahim Tatlises befason botën: I lë fëmijët pa asgjë, pasuria e tij i kalon shtetit!

