Incidenti i mesditës së djeshme në qytetin e Skenderajt nga ku mbetën të lënduar kryetari i degës së Vetëvendosjes, zëvendësministri Hysni Mehani dhe aktivisti Bahri Zabeli, nxiti tensione në mbrëmje mes policisë e qytetarëve në këtë qytet pas vendosjes së Njësisë Speciale. Vetëvendosje pretendoi se anëtarët e saj u sulmuan nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili e mohoi duke thënë se qytetarët reaguan pas thirrjes “Sami Serbia”. Policia njoftoi se dy persona u arrestuan për këtë rast, ndërsa për intervistim u ftuan dy të tjerë, përfshirë Lushtakun, që deri në njoftim thanë se nuk iu përgjigjen thirrjes.
Qytetarët e Skenderajt mbrëmë dolën në rrugë për të kundërshtuar prezencën e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës pasi atë e lidhën me incidentin ku u përfshi kryetari Lushtaku e zëvendësministri Mehani.
Drejtoresha e Policisë për rajonin e Mitrovicës, Afërdita Mikullovci, tha se vendosja e Njësisë Speciale ishte çështje rutinore dhe operative, e lidhur me kontrolle dhe aktivitete policore të zakonshme.
Por, këtë version s’e pranuan qytetarët, të cilët praninë e policisë e panë si presion politik.
Në ballë të qytetarëve doli ish-deputetja Ganimete Musliu, e cila kërkoi sqarim nga policia se pse ndodhën aty.
Ajo telefonoi policinë për të marrë përgjigje për këtë.
“Një pjesë e Njësisë Speciale e kanë vetëm plan operativ për shkak se është vera duke u afruar dhe ka më shumë qarkullim të automjeteve, nuk është asgjë për t’u shqetësuar”, i tha zyrtarja në telefon, të cilin Musliu e kishte vendosur me zë të lartë për ta regjistruar edhe mediat që ishin prezente.
Megjithatë, Musliu këtë përgjigje e mori si “tallje me qytetarët e Skenderajt”.
Përveç saj për situatën e krijuar reagoi edhe nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, i cili e përshkroi si “atmosferë shtetrrethimi”.
“Sonte, në mesnatë, në Sheshin e Lirisë “Adem Jashari” në Skenderaj, shumëkush mund të ndiejë peshën e një simbolike të rëndë. Jo sepse historia po përsëritet, e as sepse kohët janë të njëjta, por sepse çdo atmosferë tensioni e shtetrrethimi në këtë qytet zgjon kujtime që ky vend i ka paguar shtrenjtë. Kur qytetarët fillojnë të ndiejnë presion aty ku duhet të ndiejnë liri, atëherë çdo pushtet duhet të reflektojë”.
Pas disa orësh tensione dhe grumbullimi të qytetarëve, Njësia Speciale dhe forcat tjera policore u larguan nga Skenderaj në orët e para të mëngjesit, ndërsa qytetarët paralajmëruan reagime të tjera edhe gjatë ditës së sotme.
Këtë mëngjes një reagim erdhi nga kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, i cili tha se mbrëmë “pamë skena aspak të mira”.
Ai tha se Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë “me prapavija presioni dhe demonstrimi force”.
Hamza ia la edhe një porosi kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë. Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin”, shkroi Hamza.
Ai iu bëri thirrje votuesve të PDK’së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor.
“Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes”.
Ndërkaq, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka ftuar konferencë për media, e cila pritet të mbahet në zyrat e kësaj organizate në Skenderaj nga ora 10:30.
Për incidentin e djeshëm, Prokuroria Themelore në Mitrovicë doli me një komunikatë ku sqaroi veprimet që kanë ndërmarrë.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se përkitazi me rastin e sotëm në Skenderaj, ku si pasojë e sulmit fizik, lëndime të lehta trupore kanë pësuar dy persona me iniciale H.M., dhe B.Z., prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka qëndruar gjatë tërë ditës në Skenderaj, ku së bashku me policinë janë mbledhur prova relevante lidhur me rastin. Po ashtu, janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”. Ndërkaq, dy (2) të dyshuar tjerë për këtë rast me iniciale S.L., dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim”, tha dje prokuroria.


