Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka zhvilluar një inspektim në terren në qytetin e Vlorës, i fokusuar në menaxhimin e vijës bregdetare. Gjatë verifikimeve të kryera, kreu i ministrisë ka paralajmëruar sanksione të rrepta ndaj subjekteve private që shkelin hapësirat e përcaktuara për plazhe publike.
Inspektimi është përqendruar specifikisht në zonën e Lungomares, ku janë verifikuar parcelat e lira dhe plazhet publike. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij procesi janë konstatuar parregullsi nga ana e disa strukturave hoteliere dhe shërbimi.
Autoritetet bënë të ditur se u konstatuan shkelje nga biznese që “kishin vendosur çadra dhe shezlongë jashtë territorit të lejuar ose në mbivendosje me hapësirat publike”. Në këtë kuadër, u kërkua ndërhyrja e menjëhershme për lirimin e këtyre sipërfaqeve.
Në aksionin e dritës jeshile për lirimin e parcelave morën pjesë përfaqësues nga Policia e Shtetit, Agjencia Rajonale e Bregdetit Vlorë, si dhe struktura të Bashkisë Vlorë. Lidhur me masat që do të ndërmerren ndaj shkelësve, ministri Gonxhja deklaroi:
“Në prani të Policisë së Shtetit, ARB Vlorë dhe me mbështetjen e Bashkisë Vlorë, u kërkua lirimi i menjëhershëm i këtyre parcelave dhe u theksua se ndaj çdo subjekti që shkel rregullat do të merren masa ndëshkuese, përfshirë gjobat dhe sekuestrimin e materialeve e pajisjeve.”
Sipas Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ky inspektim nuk do të mbetet i izoluar vetëm në rajonin e Vlorës. Dikasteri ministror konfirmoi se kontrollet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) do të shtrihen në mënyrë sistematike “në të gjithë vijën bregdetare, me qëllim garantimin e aksesit të qytetarëve në plazhet e lira publike dhe respektimin e ligjit”.

