Një zyrtar i lartë iranian paralajmëroi sot se Teherani do ta konsideronte çdo “ndërhyrje amerikane” në Ngushticën e Hormuzit si një “shkelje” të armëpushimit , pasi Donald Trump njoftoi se po planifikohej një operacion detar për të shoqëruar anijet e bllokuara në Gjirin Persik.
“Kujdes: Çdo ndërhyrje amerikane në regjimin e ri detar në Ngushticën e Hormuzit do të konsiderohet shkelje e armëpushimit”, theksoi në anglisht dhe persisht nëpërmjet X, Ebrahim Azizi, kryetar i komitetit të Parlamentit iranian përgjegjës për çështjet e sigurisë kombëtare.
Niveli i kërcënimit në Ngushticë është “kritik”
Shërbimi i sigurisë detare i menaxhuar nga Marina Mbretërore Britanike, UKMTO (Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar), njoftoi nga ana e tij se niveli i kërcënimit për sigurinë detare në Ngushticën e Hormuzit mbetet “kritik” për shkak të operacioneve ushtarake të vazhdueshme në zonë.
Kujtohet se më herët presidenti amerikan kishte deklaruar se Marina Amerikane do të fillojë një përpjekje për të liruar anijet që mbeten të bllokuara në Ngushticën e Hormuzit duke filluar nga sot, mëngjesi i së hënës (ora e Lindjes së Mesme).
Ai e përshkroi përpjekjen si një “gjest humanitar” që synonte vetëm të ndihmonte vendet neutrale që nuk ishin të përfshira në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit.
“Për të mirën e Iranit, Lindjes së Mesme dhe Shteteve të Bashkuara, ne i kemi informuar këto vende se do t’i nxjerrim anijet e tyre në mënyrë të sigurt nga këto korridore detare të kufizuara, në mënyrë që ato të mund të vazhdojnë lirisht aktivitetet e tyre”, theksoi presidenti republikan në një postim në Truth Social.
“Ky proces, Projekti Liri, do të fillojë të hënën në mëngjes, sipas kohës së Lindjes së Mesme”, shtoi Trump.
“Diskutime pozitive”
Në postimin e tij, Trump tha gjithashtu se SHBA-të po zhvillojnë “diskutime shumë pozitive” me Iranin që “mund të çojnë në diçka shumë pozitive për të gjithë”.
“Përfaqësuesit e mi po zhvillojnë diskutime shumë pozitive me Iranin dhe këto diskutime mund të çojnë në diçka shumë pozitive për të gjithë”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Armëpushimi ka qenë në fuqi që nga 8 prilli, pas gati 40 ditësh sulmesh ajrore izraelite dhe amerikane ndaj Iranit dhe hakmarrjes së Teheranit në rajon. Megjithatë, negociatat që nga fillimi i armëpushimit kanë ngecur.

