Ish-drejtoresha e USAID dhe ish-ambasadorja amerikane në United Nations, Samantha Power, ka kritikuar ashpër qasjen e administratës së Donald Trump ndaj Iranit dhe shpërbërjen e USAID-it, duke paralajmëruar pasoja serioze për Lindjen e Mesme dhe vendet më të varfra të botës.
Në një intervistë të dhënë gjatë aktivitetit “Tech Emotion” në Triennale Milano, Power deklaroi se pret që marrëveshja e mundshme mes SHBA-ve dhe Iranit të jetë “dukshëm më e dobët dhe më e brishtë” krahasuar me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Sipas saj, administrata Trump ka larguar ekspertët më të mirë amerikanë për çështjet iraniane dhe po përpiqet të negociojë pa mbështetje të gjerë ndërkombëtare.
“Trump mendon se mund ta bëjë gjithçka i vetëm, por ka më pak ndikim ndaj Teheranit. Nuk besoj se do të ketë një sistem të fortë kontrolli mbi impiantet bërthamore apo sasitë e uraniumit të pasuruar”, tha ajo.
Power shtoi se Irani nuk ka gjasa të heqë dorë nga ambiciet bërthamore, sidomos pas dëmeve të mëdha që vendi ka pësuar nga konfliktet dhe bombardimet.
“Në klimën aktuale është e vështirë të imagjinohet që udhëheqja iraniane të heqë dorë nga parandalimi bërthamor”, deklaroi ish-zyrtarja amerikane.
Ajo sulmoi edhe vendimin e Trump për të shpërbërë USAID-in në ditën e parë të rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, duke e cilësuar ndërhyrjen “drastike dhe brutale”.
Sipas Power, mbyllja e agjencisë humanitare amerikane ka sjellë pasoja tragjike në vendet më të varfra të botës.
“Revista britanike The Lancet vlerëson se 14 milionë njerëz, përfshirë 4.5 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeçare, mund të humbasin jetën deri në vitin 2030 si pasojë e shkatërrimit të USAID-it”, tha ajo.
Power përmendi raste nga Ethiopia dhe Somalia, ku sipas saj magazina me ushqime dhe ilaçe kanë mbetur të bllokuara për shkak të urdhrave të administratës amerikane.
Ajo kritikoi gjithashtu politikën e re të administratës Trump, e cila sipas saj ofron ndihmë vetëm në këmbim të interesave strategjike.
“E quajnë ‘global health compact’: SHBA jep fonde dhe pajisje mjekësore në këmbim të mineraleve, tokave të rralla ose të dhënave personale të qytetarëve”, u shpreh Power.


