Ish- ushtari nga Britania e Madhe, John Harrison në një rrëfim për Ekonomia Online, e i cili ka kontribuuar në luftën e fundit në Koshare ka treguar përvojën e tij në trajnimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Harrison, ka treguar se si bashkë me njësinë “Delta” kanë stërvitur ushtarët e UÇK-së për të dal në front dhe që të njëjtit të ishin të parët që do të hynin në sulm.
“Ishte një përvojë shumë e mirë. Isha instruktor për njësinë “Delta”, njësia e komandant Hadergjonaj. Ne stërvitëm burra që, në thelb, të shkonin në front dhe të ishin të parët që hynin në sulm. Çdo minutë që isha në Kosovë, isha shumë krenar dhe e shijova në maksimum. Thjesht shumë kujtime shumë të mira. Mendoj se një nga kujtimet që më ka mbetur në mendje është një burrë që erdhi i plagosur me cifla predhash (shrapnel) në gjithë gjoksin e tij. Ai po qante si i çmendur. U kthye nga unë, më shikoi dhe më tha: “O Johnny, si je?”. Krejt papritur. Fytyra e tij më ka mbetur në mendje përgjithmonë”, tha Harrison për EO.
Ai deklaroi se mirësia që ushtarët e UÇK-së kishin do të jetojë gjithmomë me të, duke shtuar se ishin njerëzit më të sjellshëm dhe më të ngrohtë.
“Kjo do të më mbetet gjithmonë: mirësia e këtyre burrave. Në kulmin e luftës ata ishin të zemëruar, bënin punën e tyre në mënyrë profesionale, por kur ktheheshin, ishin njerëzit më të sjellshëm dhe më të ngrohtë që mund të imagjinoni.” Vetëm pak prej tyre ishin shumë mirë të stërvitur. Po, ata morën pak stërvitje, disa stërvitje shumë, shumë bazike. Por nuk ishte kjo ajo që i vrau; ishte forca dërrmuese e serbëve që ne e mposhtëm në fund në Koshare. Burrat që unë stërvita luftuan mirë, u hodhën në çfarëdo që ishte e nevojshme dhe e përfunduan misionin”, tha ai.
Harrison tha se shpesh qan për djemtë që humbën jetën në betejën e Koshares.
“Për djemtë që humbën jetën… unë qaj për ta shpeshherë. Memorialet si ky më sjellin lot në sy sepse i kujtoj këta njerëz”, tha ai për EO.
Ndërkaq në pyetjen se si e sheh rrugëtimin e Kosovës dhe deklaratat që presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq po thotë se Kosovën e sheh si pjesë të Serbisë, Harrison për këtë të fundit tha se është i krisur.
Ai thotë se Kosova duhet të riarmatoset seriozisht dhe me artileri të rëndë.
“Nuk e di realisht se si është stërvitja e tyre tani. Po flisja me dikë ditën tjetër dhe po thosha se, vërtet dhe sinqerisht, Kosova duhet të riarmatoset seriozisht dhe shpejt me artileri të rëndë dhe transportues të blinduar personeli. Sepse Serbia po riarmatoset. Besoj se “drita e gjelbër” që Serbia të provojë të sulmojë përsëri Kosovën do të jetë momenti kur Kina të hyjë në Tajvan. Kur bota t’i ketë sytë andej, Serbia do të lëvizë në këtë drejtim jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë. Mendoj se ai është i krisur që mendon se Kosova është Serbi. Kosova është Republikë. Ne luftuam për të. Pse mentaliteti i serbëve është i tillë… nuk kam takuar kurrë mentalitet të ngjashëm. Nuk e kam kuptuar kurrë, edhe pse isha në Kroaci dhe Bosnjë, ende nuk e kuptoj mentalitetin e popullit serb”, tha Harrison.
John Harrison është pajisur edhe me pasaportë të Kosovës.

