Instituti i Shëndetësisë Publike njoftoi se është shpallur epidemi gastrointestinale në Komunën e Gostivarit, pasi siç tha, është tejkaluar limiti javor i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore e që kryesisht kanë simptoma të të vjellave dhe të diarresë. ISHP tha se vetëm gjatë ditës së sotme në repartin e sëmundjeve ngjitëse ndihmë mjekësore kanë kërkuar 204 pacientë, tre nga të cilët janë të hospitalizuar, ndërsa në repartin e Pediatrisë janë 145 pacientë prej të cilëve 105 janë raste të reja.
Edhe në Repartin e Urgjencës janë paraqitur 9 pacientë me simptoma të diarresë dhe të vjellave duke bërë që në vazhdimësi numri i rasteve të rritet.
“Si pasojë e rritjes së vazhdueshme të numrit të rasteve dhe tejkalimit të limiteve javore, Qendra për Shëndet Publik në Tetovë, përmes departamentit të epidemiologjisë, ka shpallur epidemi gastrointestinale”, tha Shaqir Zylbehari, drejtor i QSHP-Tetovë.



