Mickoski: Pas takimit për Kodin Zgjedhor jam më pak optimist, opozita po e bllokon procesin

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se pas takimit të mbrëmshëm mes partive politike në Kuvend është bërë më pak optimist për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Ai bëri të ditur se bisedimet do të vazhdojnë nga dita e hënë, por akuzoi partitë opozitare se po e bllokojnë me qëllim procesin, për të penguar përmbushjen e të gjithë indikatorëve të Agjendës Reformuese.

“Jemi të gatshëm të pranojmë gjithçka, edhe një njësi zgjedhore, edhe buxhet më të madh për partitë që nuk janë pjesë e katër partive më të mëdha. Nëse problemi janë paratë, le të jetë edhe kjo, vetëm ta miratojmë Kodin Zgjedhor. Por është e qartë se këto parti politike, të bindura se do të humbasin zgjedhjet, kanë frikë”, deklaroi Mickoski.

Sipas tij, edhe nëse Kodi Zgjedhor nuk miratohet, vendi do të përmbushë 9 nga 10 indikatorët e Agjendës Reformuese.

“Ne nuk duam ta kalojmë ligjin me flamur evropian apo me forcë. Mendonim se kemi të bëjmë me njerëz të pjekur dhe të përgjegjshëm, të cilët kujdesen për të ardhmen e vendit”, shtoi ai.

Mickoski theksoi gjithashtu se për VMRO-DPMNE-në mbetet objektiv strategjik rritja e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhje. Ai tha se partia është e gatshme të pranojë edhe votimin me postë për diasporën, në vend të votimit elektronik.

By admin