Kapen iPhone 18 në vlerë të 15,000 eurove në Aeroportin e Prishtinës

Dogana e Kosovës ka ndaluar një udhëtar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, në bagazhin e të cilit janë gjetur tetë telefona të mençur iPhone 18, të cilët nuk ishin deklaruar te autoritetet doganore, përcjell TV21. Sipas Doganës, vlera e përgjithshme e telefonave është rreth 15 mijë euro.

Në njoftimin e saj, Dogana thotë se kontrolli është kryer pas kalimit të bagazhit në skaner dhe dyshimeve të zyrtarit doganor.

“Gjatë ekzaminimit janë gjetur 8 (tetë) telefona të mençur të markës iPhone 18, të cilët nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore. Vlera e përgjithshme e këtyre mallrave është rreth 15,000 euro. Mallrat janë ndaluar nga Dogana e Kosovës dhe rasti është proceduar për vazhdimin e procedurave doganore, përfshirë përcaktimin e statusit doganor dhe detyrimeve përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në kumtesë.

Dogana thekson se mallrat e bartura nga udhëtarët duhet të deklarohen kur tejkalojnë kufijtë e lejuar ose kur kanë natyrë tregtare.