Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami ka shprehur keqardhje për vendimin e Dhomave të Specializuar për dënim ndaj ish-krerëve të UÇK-së duke qe quajtur vendim të rëndë ndaj njerëzve që kanë dhënë kontribut për çlirimin e Kosovës. Kasami tha se vendimi i sotëm nuk e ndryshon të vërtetën për luftën e UÇK-së të cilën e quajti pjesën më të lavdishme të historisë kombëtare, ndërkohë që shtoi se pret që vendimi të rrëzohet në shkallën e Apelit.
Kasami tha se historia e Kosovës është histori e një populli që luftoi për liri e cila nuk do të rishkruhet.“Shpreh keqardhje të thellë për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ky është një vendim i rëndë për katër njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës dhe që sot vazhdojnë të jenë larg familjeve të tyre.
Ky aktgjykim nuk e ndryshon të vërtetën historike për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lufta çlirimtare në Kosovë është pjesa më e lavdishme e historisë sonë kombëtare.
Presim që Apeli ta rishqyrtojë dhe ta rrëzojë këtë vendim.
Në këto momente, mendimet e mia janë me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, me bashkëluftëtarët e tyre dhe me të gjithë ata që e përjetojnë këtë ditë me dhimbje.
Historia e Kosovës është histori e një populli që luftoi për liri.
Dhe kjo histori nuk rishkruhet”, tha Kasami.



