Katër vjet nga tragjedia e Tetovës ku humbën jetën 14 persona – Prokuroria mban në sirtar hetimin e dytë

Prej gati tre vitesh, hetimi i dytë për zjarrin tragjik në spitalin modular të Tetovës vazhdon të mbetet pa epilog. Edhe pse Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut në gusht të vitit 2023 njoftoi se Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kishte hapur një hetim të ri për rastin, deri më sot nuk është ngritur asnjë aktakuzë dhe nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar.

Institucioni i Prokurorisë nuk ka bërë të ditur se në çfarë faze ndodhet procedura hetimore dhe kur mund të pritet një vendim, duke përsëritur vazhdimisht se hetimet ende po zhvillohen.

Ndërkohë, familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për 14 personat që humbën jetën në zjarrin e 8 shtatorit 2021. Mes tyre është edhe Ibin Emshi, i cili humbi babanë dhe vëllanë në tragjedi. Më 1 dhjetor 2025, ai dorëzoi një kallëzim penal për vrasje në Policinë e Verbano Cusio Ossola në Itali, duke kërkuar që rasti të hetohet në nivel ndërkombëtar. Përveç kësaj, Emshi ka kërkuar përfshirjen e Avokatit të Popullit të Këshillit Rajonal të Piemontes, ndërsa synon që çështja të arrijë edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Ndërsa hetimi për shkaqet e zjarrit vazhdon të mbetet pa përgjigje, proceset gjyqësore të deritanishme janë zhvilluar kryesisht për mungesën e pajisjeve kundër zjarrit dhe jo për shkaqet që çuan në shpërthimin e flakëve.

Në maj të vitit 2025, Gjykata e Tetovës shpalli aktgjykimin në rigjykimin e rastit, duke dënuar ish-drejtorin mjekësor Florin Besimi dhe ish-drejtorin ekonomik Artan Etemi me nga një vit e gjysmë burg pa kusht, ndërsa Spitali i Tetovës u gjobit me një milion denarë. Të dy u shpallën fajtorë për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa spitali për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

Më vonë, Gjykata e Apelit në Gostivar pranoi ankesën e Prokurorisë dhe të familjarëve të viktimave, duke ua dyfishuar dënimin ish-drejtorëve në tre vjet burg dhe duke rritur gjobën për Spitalin e Tetovës me 300 mijë denarë.

Rasti kishte përfunduar në rigjykim pasi Gjykata e Apelit konstatoi se aktgjykimi i parë ishte i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim, duke vlerësuar se Gjykata Themelore e Tetovës nuk kishte vërtetuar me kujdes të gjitha faktet juridike relevante.

Vëmendje të veçantë në opinion shkaktoi edhe dokumentari “Vrasje në Tetovë”, i publikuar nga IRL në vitin 2023, ku u prezantuan një sërë lëshimesh në projektimin, ndërtimin dhe funksionimin e spitalit modular. Dokumentari ngriti dyshime për shkelje procedurale dhe keqpërdorime, duke kundërshtuar narrativën zyrtare se zjarri ishte shkaktuar vetëm nga një lidhje e shkurtër elektrike.

Zjarri në spitalin modular të Tetovës shpërtheu më 8 shtator 2021, në kohën kur objekti shërbente për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Brenda pak minutash, flakët përfshinë të gjithë objektin, duke marrë jetën e 14 personave dhe duke lënë plagë të thella te familjarët dhe opinioni publik.

Edhe pas katër vitesh nga tragjedia, ende nuk ka një proces gjyqësor që trajton drejtpërdrejt shkaqet e zjarrit dhe përgjegjësit e mundshëm për humbjen e 14 jetëve, ndërsa familjarët vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit dhe vendosjen e drejtësisë.

By admin1