KF Shkëndija ka njoftuar se trajneri Jeton Beqiri nuk do të vazhdojë të drejtojë skuadrën në sezonin e ardhshëm, pas përfundimit të kontratës në fund të kampanjës 2025/2026, përcjell TV21. Klubi tetovar bëri të ditur se vendimi është marrë me marrëveshje të përbashkët, duke mbyllur kështu bashkëpunimin që nisi në janar të vitit 2024. Gjatë periudhës së tij në stolin kuqezi, Beqiri udhëhoqi Shkëndijën drejt titullit kampion në sezonin 2024/2025 dhe arriti sukses historik në garat evropiane me kualifikimin në fazën e ligës së UEFA Conference League dhe avancimin deri në play-off.
“E falënderojmë Jeton Beqirin për kontributin e dhënë gjatë drejtimit të skuadrës dhe i urojmë shëndet dhe suksese në vazhdim të karrierës së tij profesionale”, thuhet në njoftimin e klubit.


