Klekovski: Ende nuk dihet kur Gostivari do të ketë ujë të pijshëm

Analizat e ujit të pijshëm nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar po vazhdojnë dhe do të kryhen edhe gjatë fundjavës. Është e pamundur të parashikohet se kur qytetarët e Gostivarit do të mund ta përdorin ujin për pije, deklaroi sot në Shtip ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

“Mostrat po monitorohen dhe ato do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës. Pra, çdo ditë merren mostra nga disa pika të përdoruesve. Në momentin që tri mostra njëra pas tjetrës do të jenë të përshtatshme për konsum, ujësjellësi do të vihet në përdorim. Ajo që është e rëndësishme është se uji tani mund të përdoret për qëllime të tjera, por jo për pije dhe për përgatitjen e ushqimit të freskët. Kjo çështje të paktën është sqaruar. Nuk mund të bëjmë spekulime. Duhet që tri teste nga pikat e përdorimit të jenë të përshtatshme, që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të mund ta heqë ndalesën për përdorimin e ujit të pijshëm”, tha Klekovski në përgjigje të pyetjes së gazetarëve pas vizitës në Spitalin Klinik të Shtipit.

Ministri i Shëndetësisë theksoi se çdo ditë kryhen analiza nga të paktën nëntë pika të përdorimit dhe, siç tha ai, “kur të jetë koha, do të njoftohet”.

“Është shumë e vështirë të parashikoj se si do të dalin testet. Mund të ketë një test që nuk është i përshtatshëm dhe përsëri të nevojiten tri teste të reja, tri ditë të reja. Vërtet është e pamundur të parashikoj se çfarë dhe si do të ndodhë”, deklaroi Klekovski pas vizitës në Spitalin Klinik të Shtipit.

By admin7