Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë bërë pika më e re e përplasjes mes pushtetit dhe opozitës në Maqedoninë e Veriut. Derisa shumica qeverisëse thotë se ligji duhet të miratohet me konsensus të gjerë politik, opozita paralajmëron bllokadë dhe akuzon se po përgatitet “vjedhja më e madhe zgjedhore” transmeton INA.
Kuvendi një ditë më parë vendosi që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të shqyrtohen me procedurë të shkurtuar, por mbetet e paqartë se kur dhe në çfarë forme do të miratohen ato.
Partia opozitare LSDM reagoi menjëherë, duke paralajmëruar se do të dorëzojë 10 mijë amendamente, me arsyetimin se projektligji është “joevropian dhe jodemokratik”.
“Këtë ligj qytetarët së shpejti do ta shohin si një ligj kriminal. Nuk do të lejojmë vjedhje zgjedhore. Janë gati 10 mijë amendamente”, deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
Nga ana tjetër, kryeministri dhe njëherësh lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, e cilësoi paralajmërimin për bllokadë si shenjë frike të opozitës nga rezultatet që, sipas tij, po arrin Qeveria në arenën ndërkombëtare.
“Ata kanë frikë se, pas raportit të dhjetorit, edhe në raportin e qershorit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia do të vlerësohet sërish më së miri. Por kam një lajm të keq për ta: Maqedonia do t’i mposhtë bllokadat tuaja”, shkroi Mickoski.
Ai i bëri thirrje opozitës që të paraqesë amendamente vetëm për çështje teknike, si mënyra e votimit dhe procedurat e ankesave, ndërsa të tërheqë amendamentet e tjera që, sipas tij, kanë për qëllim bllokimin e procesit.
Rezerva ndaj ndryshimeve të propozuara ka shprehur edhe partia Levica, ndonëse kishte përfaqësues në grupin punues që përgatiti tekstin e ligjit.
Lideri i Levicës, Dimitar Apasiev, tha se pjesëmarrja në grupin e punës nuk nënkupton pajtim me propozimet. Ai veçoi si çështje të hapura kushtet për kandidatët e pavarur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, votimin elektronik të diasporës, financimin e fushatave zgjedhore, rregullimin e reklamimit me billborde, si dhe propozimin për një njësi të vetme zgjedhore.
Edhe koordinatori i grupit parlamentar të Levicës, Borislav Krmov, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se partia e tij nuk jep pëlqimin për tekstin e propozuar.
“Shohim vetëm përpjekje për të krijuar përshtypjen e një konsensusi që nuk ekziston. Korrigjimi i zgjidhjeve jokushtetuese nuk është favor ndaj Levicës, por detyrim i shumicës”, tha Krmov.
Marrëveshja politike për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ishte arritur në takimin e liderëve të mbajtur në janar. Më pas, procesi kaloi në një grup pune, i cili që nga muaji mars ka punuar për hartimin e ndryshimeve ligjore.(INA)

