Komandanti i forcave të Ushtrisë së SHBA’së në Evropë dhe Afrikë — i cili u bë i njohur si ushtari i fundit amerikan që u largua nga Afganistani në vitin 2021 — po jep dorëheqje të papritur nga posti i tij pas vetëm 18 muajsh në detyrë, konfirmoi Ushtria të martën vonë.
Gjenerali Christopher Donahue, komandant i përgjithshëm i U.S. Army Europe and Africa dhe komandant i NATO Allied Land Command, do ta lërë komandën e tij më 2 korrik, sipas një deklarate të Ushtrisë dhënë AssociatedPress. Ai është i fundit në një seri prej gati dy duzinash udhëheqësish të lartë ushtarakë që ose janë pensionuar ose janë larguar herët nga detyrat e tyre nën drejtimin e Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, i cili ka ndërmarrë një përpjekje për të “tkurrur radhët e gjeneralëve” me moton “më pak gjeneralë, më shumë ushtarë”.
Zëvendësi i Donahue-s, gjeneral-major Christopher Norrie, do t’i kryejë detyrat e tij përkohësisht, thuhet në deklaratë.
I diplomuar në West Point dhe komandant karriere në operacione speciale, Donahue ka komanduar njësitë Delta Force në Irak dhe Afganistan para se të drejtonte divizionin e 82-të Ajror nga korriku 2020 deri në mars 2022.
Gjatë asaj periudhe, ai mbikëqyri sigurinë në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai gjatë tërheqjes kaotike të SHBA-së nga vendi në vitin 2021. Më 30 gusht 2021, Donahue u bë ushtari i fundit amerikan që u largua nga Afganistani pas gati 20 vitesh lufte të nisur nga sulmet e 11 shtatorit 2001. Ky moment u dokumentua në një foto ikonike të marrë me syze shikimi nate, ku shihet gjenerali duke hipur në avionin e fundit transportues C-17 që u largua nga vendi.
Pete Hegseth dhe Presidenti Donald Trump e kanë përdorur tërheqjen kaotike nga Afganistani — një operacion që u vu në lëvizje nga një marrëveshje e negociuar me talebanët nga administrata Trump gjatë mandatit të tij të parë — si një temë të përsëritur kritike politike dhe objekt të një rishikimi të ri të Pentagonit.
Në majin e kaluar, Hegseth urdhëroi një hetim të ri mbi tërheqjen, pavarësisht se më parë kishin ekzistuar disa rishikime nga Pentagoni, Komanda Qendrore e SHBA-së, Departamenti i Shtetit dhe Kongresi, të cilat kanë përfshirë qindra intervista dhe studime të videove, fotografive dhe materialeve të tjera.
Nuk është e qartë se çfarë informacioni të ri po kërkon ky rishikim.
Lidershipi i Donahue-s gjatë evakuimit megjithatë ka marrë vlerësime bipartizane. Brenda Ushtrisë, ai shihej gjerësisht si një oficer i lartë që mund të kishte udhëhequr vetë ushtrinë ose të ishte zgjedhur kryetar i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura.
Një zyrtar i Ushtrisë që foli në kushte anonimiteti tha për Associated Press se largimi i Donahue-s vjen ndërsa Ushtria po diskuton uljen e komandës U.S. Army Europe and Africa nga niveli me katër yje në një komandë me tre yje.
Ky ndryshim do të ndodhte në mes të kritikave të vazhdueshme nga Hegseth ndaj aleatëve evropianë.
Javën e kaluar, Hegseth u tha aleatëve të NATO-s se do të zhvillohej një rishikim gjashtëmujor i forcave amerikane në Evropë, “i dizajnuar për të siguruar që NATO po ecën shpejt dhe në mënyrë të pakthyeshme drejt faktit që Evropa të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e saj”.
“Është një rishikim që disa vende do ta dështojnë dhe të tjerat do ta kalojnë me rezultate të shkëlqyera,” shtoi ai.
Pentagoni nuk komentoi menjëherë mbi lajmin e largimit të Donahue-s, i cili u raportua fillimisht nga The Atlantic.

