Konjufca: Është koha që Kosova të nisë negociatat për anëtarësim në BE

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian një qasje më të drejtë dhe të barabartë ndaj Kosovës, duke theksuar se vendi është i gatshëm të avancojë drejt integrimit evropian përmes një procesi të bazuar në merita.

Nga Brukseli, Konjufca bëri thirrje që Kosovës t’i hapet rruga për statusin e vendit kandidat dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Reklame

Para takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, ai deklaroi se Kosova ka përmbushur detyrimet e saj dhe pret hapa konkretë nga Brukseli. Sipas tij, pyetësori i BE-së duhet të jetë hapi i parë drejt procesit të kandidimit.

“Ne dëshirojmë të kemi një trajtim të barabartë dhe të drejtë nga BE-ja, pasi ne si Kosovë jemi gati të lëvizim dhe të avancojmë brenda këtij kuadri të procesit bazuar në merita. Në të njëjtën kohë, ajo që mendojmë është se çfarë do të thotë në të vërtetë ky proces bazuar në merita është që Kosova të ketë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE”, deklaroi ministri, transmeton Klankosova.tv.

Ai theksoi se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një çështje politike, por edhe strategjike, për shkak të ndikimit të Rusisë në rajon, transmeton Klankosova.tv.

Konjufca paralajmëroi se ndikimi rus vazhdon të cenojë sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Evropën, duke e bërë edhe më të rëndësishëm një BE të bashkuar dhe të zgjeruar.

Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ai ritheksoi se Prishtina mbetet konstruktive në proces, por nënvizoi se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë mes dy vendeve.

“Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë konstruktive në dialog, por dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë”, shtoi Konjufca.

Konjufca u shpreh optimist se në muajt e ardhshëm mund të ketë zhvillime konkrete në raportet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

By admin7