Kontrabandoheshin mijëra litra vaj motorik nga Serbia, policia ndalon traktorin në Podujevë

Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në zonën kufitare me Serbinë.

Sipas njoftimit zyrtar, më 19 maj 2026, njësitë policore kufitare në fshatin Herticë të Podujevës kanë ndaluar një traktor me rimorkio, i cili po transportonte mall të kontrabanduar nga territori i Serbisë në Kosovë, përmes rrugëve malore dhe jashtë pikave kufitare.

Reklame

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur 161 bidonë të mbushur me gjithsej 2898 litra vaj motorik.

Malli i sekuestruar është dërguar në terminalin doganor në Merdar për procedura të mëtejshme nga Dogana e Kosovës.

Me autorizim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprat penale “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare” dhe “Kontrabandim me mallra”.

Personi i dyshuar, pas intervistimit nga autoritetet, është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

By admin7