Kosova nuk po del nga ngërçi. Tash moszgjedhja e Presidentit po e çon vendin në zgjedhje të reja. Dy datat e mundshme për mbajtjen e tyre janë 31 maji dhe 7 qershori. U.D. Presidentja Albulena Haxhiu duhet ta marrë vendimin.
Gazeta Express
Në një seancë të nisur parmbëmë nga Lëvizja Vetëvendosje, pa kurrfarë marrëveshje me partitë opozitare, zgjedhje e Presidentit të ri, natyrshëm nuk u bë e mundur.
Kuvendi u shpërnda në mesnatë, me të kaluar afati për zgjedhjen e Presidentit dhe tani, vendi shkon zyrtarisht në zgjedhje të reja, edhe një herë tjetër, për herë të tretë brenda rreth një viti e gjysmë.
Zgjedhjet e reja, siç e përcakton Kushtetuta, duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Dhe në këtë rast, me dy javë fushatë dhe me procedurën parazgjedhore që duhet ndjekur, mbesin vetëm dy data të mundshme: 31 maj dhe 7 qershor.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu duhet ta marrë formalisht një vendim se cila do të jetë data e zgjedhjeve të reja.
Fakti që Kosova nuk i evitoi zgjedhjet e sërishme, u bë lajm edhe në mediat më të mëdha ndërkombëtare.
Pas zgjedhjeve parlamentare të fundvitit të kaluar, mund të jetë dukur Kosova do të ecte drejt një rrugëdaljeje nga ngërçi politik i cili e përcolli vendin gjatë gjithë vitit 2025. Por kriza vazhdon.
LVV-ja e nisi të hënën në mbrëmje një seancë për zgjedhjen e Presidentit, duke propozuar njëanshëm Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxha. Seanca u ndërpre dhe vazhdoi 4-5 herë, deri mbrëmë pak para mesnatës.
Në fundjavë, LVV-ja kishte kërkuar nga PDK-ja dhe LDK-ja tre emra për President, si propozim “konkret dhe përbashkues” për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ia paraqiti Albin Kurtit emrin e Vjosa Osmanit, por duke kërkuar nga kryeministri garanci se ajo do t’i merrte 66 votat e mazhorancës.
Kreu i LVV-së mbrëmë ofroi vetëm “garë”: që tashmë ish-presidentja të ishte kundërkandidate e kandidates së tyre, Feride Rushitit. Në këtë rast, pas dy rundeve të para, në të tretin LVV-ja do të mund ta zgjidhte Rushitin Presidente.

