“Kosovës i duhet një president ushtarak, veç Ramush Haradinaj i del zot”

Ish-deputeti dhe një nga veprimtarët e themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nait Hasani, ka deklaruar se në rrethanat aktuale politike, kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, është figura e vetme e duhur për t’u zgjedhur në postin e presidentit të vendit.

Në emisionin DPT te Fidani në Klan Kosova, Hasani theksoi se Kosova ndodhet në krizë dhe se vendit i duhet një lider që i del përballë narrativës së Gjykatës Speciale dhe mbron vlerat e UÇK-së në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, Kosova duhet t’i tregojë botës me vendosmëri se lufta çlirimtare nuk ka qenë ndërmarrje e përbashkët kriminale, dhe për këtë nevojitet një profil ushtarak në krye të shtetit.

Sot për sot Kosova është në krizë. Edhe për president, po dhe në rrethanat pas vendimit të Gjykatës Speciale. Neve duhet t’i tregojmë botës se nuk jena ndërmarrje e përbashkët kriminale. Për me i tregu botës se nuk jena ndërmarrje e përbashkët kriminale, duhet ta kemi një president ushtarak, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili kur takohet me presidentët i thotë: ‘Unë jam Ramush Haradinaj, ushtar, komandant i Zonës së Dukagjinit i UÇK-së, i kam dy dëshmorë, e kam familjen krejt në luftë, edhe unë jam sikurse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi… Prandaj kërkoj ta ndryshoni qasjen dhe të thoni që UÇK-ja nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale’”, u shpreh Hasani.

Hasani pranoi se ky është vlerësimi i tij personal dhe se mund të ketë zëra që nuk pajtohen, por insistoi se në këtë moment Haradinaj mbetet zgjidhja e vetme.

Nait Hasani u ndal edhe te mundësia e zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se një hap i tillë do të ishte humbje kohe dhe në dëm të drejtpërdrejtë të Kosovës.